Britania paralajmëron sulme kibernetike nga Rusia në kohën e krizës në Ukrainë
Britania i paralajmëroi bizneset e mëdha të premten që ta forcojnë mbrojtjen kundër sulmeve të mundshme kibernetike nga Rusia në kohën kur Perëndimi po frikësohet se Rusia mund t’i urdhërojë trupat për të pushtuar një pjesë tjetër të Ukrainës.
Qendra Kombëtare për Siguri Kibernetike e Britanisë së Madhe, pjesë e agjencisë së inteligjencës GCHQ, i paralajmëroi organizatat e mëdha që ta fuqizojnë qëndrueshmërinë e tyre në aspektin e sigurisë kibernetike në kohën e thellimit të tensioneve rreth Ukrainës, shkruan Reuters.
Udhëheqësit perëndimorë thonë se shekulli XXI do të përcaktohet nga përpjekja mes demokracive dhe rivalëve si Kina dhe Rusia, për të cilat thonë se janë duke e sfiduar konsensusin pas Luftës së Ftohtë në aspektin ushtarak si dhe në fushat e ekonomisë dhe teknologjisë.
“Gjatë disa vjetëve, kemi vërejtur një model të sjelljes dashakeqëse ruse në hapësirën kibernetike. Incidentet në Ukrainë i kanë shenjat dalluese të aktivitetit të ngjashëm rus, të cilin e kemi vërejtur më parë”, tha Paul Chichester, drejtor i operacioneve në Qendrën Kombëtare për Siguri Kibernetike.
Zyrtarët britanikë të spiunazhit thonë se Rusia mbetet kërcënimi më i madh i afërt ndaj Perëndimit, por mbizotërimi afatgjatë i Kinës në teknologji përbën problem shumë më të madh.
