Sveçla: Nuk do të lejojmë për qëllime politike të Serbisë të shkelet rendi kushtetues

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se do të ruajnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe do të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët e vendit.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se nuk do të lejojnë që për qëllime politike të Serbisë, të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit, kjo deklaratë e tij vjen pasi sot Kuvendi e miratoi rezolutën për mosmbajtjen referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë.

“Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serb të Kosovës, e kjo duhet të marrë fund. Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë. E njëjta mënyrë  tashmë është përcaktuar edhe nga shtetet tjera demokratike, ku qytetarët serb mund të votojnë në ambasada si në Austri, Belgjikë dhe Luksemburg, Itali, Norvegji, Rusi, Francë, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Njëjtë votohet dhe në vendet fqinje si Maqedoni e Veriut e Mal të Zi”.

Sveçla, tutje ka theksuar se janë të përkushtuar që të vazhdojnë të punojnë me profesionalizëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ata që kontribuojnë në të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve dhe vlerat demokratike të Kosovës.

Go to TOP