Ekstremistja indiane bën thirrje për vrasje të myslimanëve
Në një konferencë të mbajtur në Indi muajin e kaluar, një ekstremiste hinduse e veshur kokë e këmbë me ngjyrën e shenjtë të besimit të saj, u bëri thirrje përkrahësve që të vrisnin myslimanë dhe ta “mbronin” vendin.
“Nëse 100 nga ne bëhemi ushtarë dhe jemi të përgatitur për të vrarë 2 milionë (myslimanë), atëherë do të fitojmë. Mbrojeni Indinë dhe bëjeni vend hindus”, tha Pooja Shakun Pandey, anëtare e lartë e partisë djathtiste, Hindu Mahasabha, sipas një videoje nga konferenca.
Fjalët e saj dhe thirrjet për dhunë nga udhëheqësit tjerë të besimit hindus u pritën me duartrokitje nga audienca e gjerë në atë tubim, sipas pamjeve nga konferenca treditore në qytetin Haridwar, shkruan CNN.
Por në pjesë të ndryshme të Indisë, njerëzit ishin të indinjuar. Gati një muaj më vonë, shumë pre tyre janë ende të zemëruar nga mungesa e reagimit të qeverisë ose mungesa e arrestimeve rreth komenteve të saj, për të cilat thonë se e vënë në pah përkeqësimin e klimës për myslimanët e Indisë.
Pas rritjes së trysnisë, gjykata më e lartë e Indisë ndërhyri të mërkurën, duke kërkuar përgjigje nga autoritetet shtetërore dhe federale brenda 10 ditëve. Pandey dhe disa të tjerë po hetohen nga policia lokale për fyrjen e besimeve fetare, akuzë që bart dënim maksimal prej katër vitesh burgim, i thanë televizionit CNN zyrtarët policorë.
Analistët thonë se partia të cilës i takojnë personat që folën në konferencë është në majën e një trendi më të gjerë në Indi, ku është parë rritje alarmante e përkrahjes për grupet ekstremiste hinduse që nga ardhja në pushtet e Kryeministrit Narendra Modi para tetë vjetëve.
