​Kurti: Institucionet ende nuk janë siç deshën e për çfarë u flijuan dëshmorët

”Sa herë që varrosim apo rivarrosim dëshmorët e martirët, ne ia përkujtojmë vetes dhe pasardhësve tanë çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet, për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot”,tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorit, Naim Osmani.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, kryeministri tha se duke iu falënderuar sakrificës së dëshmorëve e martirëve ne kemi institucione e shtet, ndonëse ende jo ashtu siç ata e deshën e për çfarë u flijuan.

“Ata e kanë kryer pjesën më të madhe e kryesore të progresit kombëtar e shoqëror në histori. Ndërkaq ne e kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi e dimë, që t’i primë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.

Sipas komunikatës së Qeverisë, me ceremoninë e organizuar në Shipol të Mitrovicës, kryeministri i Kurti, bashkë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe përfaqësues të institucioneve, nderuan jetën patriotike dhe rënien heroike të Naim Osmanit.

Ai u vra në korrik të vitit 1998, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, gjersa po kalonte i armatosur kufirin shqiptaro-shqiptar, ndërsa trupi i tij u gjet 23 vjet më pas.


Go to TOP