Kryeministri Kurti mori pjesë në rivarrimin e dëshmorit Naim Osmani
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorit Naim Osmani.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, kryeministri tha se duke ju falënderuar sakrificës së dëshmorëve e martirëve ne kemi institucione e shtet, ndonëse ende jo ashtu siç ata e deshën e për çfarë u flijuan.
“Ata e kanë kryer pjesën më të madhe e kryesore të progresit kombëtar e shoqëror në histori. Ndërkaq ne e kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi e dimë, që t’i premë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.
Me ceremoninë e organizuar në Shipol të Mitrovicës, Kryeministri i Kurti, bashkë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe përfaqësues të institucioneve, nderuan jetën patriotike dhe rënien heroike të Naim Osmanit. Ai u vra në korrik të vitit 1998, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, gjersa po kalonte i armatosur kufirin shqiptaro-shqiptar, ndërsa trupi i tij u gjet 23 vjet më pas.
