PE kritikon BE-në për mospërmbushje të obligimeve ndaj Ballkanit Perëndimor
Kritika ndaj Bashkimit Evropian për mospërmbushje të premtimeve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe thirrje që BE-ja të jetë më e pranueshme në rajon, janë dëgjuar të enjten në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Si dëshmi më të shpeshta se BE-ja nuk është duke ndihmuar në përmbushjen e obligimeve, janë përmendur mungesa e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Këto procese nuk janë finalizuar akoma edhe pse Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se të tria këto shtete i kanë përmbushur kriteret që janë kërkuar nga to.
Në këtë mënyrë, sipas shumë folësve që morën pjesë në diskutime, Bashkimi Evropian po e rrezikon kredibilitetin e vet në rajon dhe po krijon hapësirë për ndikime të faktorëve tjerë të jashtëm.
Debati është zhvilluar edhe për të analizuar rezultatet e Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që është zhvilluar në Bërdo të Sllovenisë.
Anzhe Logar, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, vend që ka kryesimin e radhës në BE, ka thënë se ky Samit ka shënuar forcimin e lidhjeve të BE-së dhe rajonit. Ai ka thënë se me këtë samit është rikonfirmuar përkushtimi i BE-së për procesin e zgjerimit.
Por ka pasur deputetë që premtimet dhe konkluzat nga Samiti i Bërdos i kanë quajtur vetëm “fjalë të zbrazëta”, sidomos duke përmendur refuzimin që të ketë referenca kohore për procesin e zgjerimit dhe shpresat e vendeve të rajonit për integrim në BE.
Viola von Cramon, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania, që është edhe Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se “Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Bërdo ishte një paradë e hipokrizisë, fjalëve boshe dhe vlerësimeve për autokratët, dhe mbi të gjitha pretendimeve se BE do të zgjerohet dhe vendet e rajonit po bëjnë reforma”.
