Kosova katër muaj pa ambasadorë në disa shtete, MPJ hesht

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk ka emëruar asnjë ambasador, ndonëse katër muaj më parë janë shkarkuar 13 prej tyre, të emëruar politikë. 

Në fillim të shtatorit, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi tha se procesi i emërimit të ambasadorëve pritet të përfundojë javët në vazhdim.

Megjithatë, as pas katër javësh nuk ka asnjë emërim.

Telegrafi ka dërguar pyetje në lidhje me këtë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por nuk ka marrë përgjigje.

E, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar gjithë procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj, duke thënë se përveç që ky proces po shkon ngadalë, është edhe pa transparencë.

“Meqenëse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ulur nivelin e përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë në 22 misione diplomatike të saj, e një misionit i ka vënë drynin, procesi i përzgjedhjes së Ambasadorëve të rinj është duke shkuar shumë ngadalë dhe totalisht pa transparencë”, theksoi Musliu-Shoshi në një prononcim për Telegrafin.

Deputetja e PDK-së, tha se Komisionit për punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i kanë shkuar për shqyrtim vetëm 5 emra nga 16 sa do të duhej.

Siç tha ajo, “Legjislacioni në fuqi për Shërbimin e Jashtëm, parasheh që 50% e shefave të misioneve diplomatike duhet të jenë nga radhët e diplomatëve të karrierës, e 50% të jenë të emëruar me çelës politik”.

“Rrjedhimisht, nga 32 misione diplomatike sa i ka Republika e Kosovës nëpër botë, 16 duhet të jenë të udhëhequra nga diplomatë karriere e 16 nga të emëruar me çelës politik. Ndërkaq, Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit i kanë ardhur për shqyrtim vetëm 5 emra nga 16, sa do të duhej – e pjesa tjetër, diplomatët e karrierës, i propozohen Presidentes direkt”, u shpreh deputetja e PDK-së.

Ajo e quajti paaftësi të MPJD-së mos propozimin e 16 emrave për ambasadorë të Kosovës.

“Pra, për katër muaj, MPJD nuk ka qenë e aftë t’i gjej 16 persona të cilët do të mund të shërbenin si Ambasadorë të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Tutje, sipas Musliu-Shoshit në përzgjedhjen e ambasadorëve të karrierës ka edhe mungesë të transparencës nga Kabineti i Ministres.

Go to TOP