Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet
Deputetja e rizgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, që do të mbahet këtë të enjte, përbën një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e partisë.
Bajrami ka deklaruar se Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes individëve, por si një vendim për të ardhmen e përbashkët të LDK-së.
“Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk do të vendoset se kush është me kryetarin aktual dhe kush kundër tij, as kush është me LVV-në e kush me PDK-në. Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”, ka shkruar Bajrami.
Sipas Bajramit, pyetja që duhet të shtrohet është nëse anëtarësia është e kënaqur me gjendjen aktuale të partisë.
“Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim”, ka theksuar ajo.
Bajrami ka rikujtuar se nga viti 2021, LDK-ja ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje dhe në të gjitha ka përfunduar si partia e tretë, ndërsa nuk ka shënuar fitore as në nivelin lokal.
“Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate. Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka thënë se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 i kishte kërkuar dorëheqjen kryetarit të partisë, ndërsa njëkohësisht kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares.
“Nuk kam kërkuar nga ai atë që nuk kam qenë e gatshme ta bëj vetë. Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, LDK-së i nevojitet një mënyrë e re udhëheqjeje dhe jo vetëm zëvendësimi i një emri me një tjetër.
“Një udhëheqje që bashkon e nuk ndan. Që dëgjon e nuk hakmerret. Që vlerëson mendimin ndryshe e nuk e trajton atë si mosbesnikëri. Që e njeh meritën, punën dhe kontributin”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka thënë se udhëheqja e re duhet t’i çmojë më shumë qëndrestarët sesa “turistët politikë” dhe t’ia njohë secilit vendin meritor.
Bajrami ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të jetë rezervë apo shtojcë e asnjë partie tjetër politike.
“LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë as e LVV-së, as e PDK-së, as e AAK-së dhe as e ndonjë grupimi tjetër politik. LDK-ja nuk duhet të hyjë në zgjedhje duke menduar se partner i kujt do të bëhet pas humbjes. LDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje për të fituar”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, LDK-ja duhet të jetë alternativa më serioze dhe një parti që ka vizion jo vetëm për veten, por edhe për Kosovën.
“Kosovës i duhet një LDK që nuk kompleksohet nga pushteti, por i del përballë atij”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka thënë se LDK-ja duhet ta ketë luftën kundër korrupsionit si bindje dhe praktikë, të angazhohet për çkapjen e institucioneve, drejtësi të pavarur dhe standard të njëjtë për të gjithë.
Bajrami ka shtuar se LDK-ja duhet të qëndrojë për ekonominë e tregut, pronën private, ndërmarrësinë, zhvillimin e sektorit privat dhe investimet e guximshme.
Ajo ka kërkuar gjithashtu një LDK të qartë në orientimin euroatlantik, bashkëpunimin me aleatët dhe integrimin e veriut përmes ligjit, zhvillimit dhe koordinimit me partnerët.
“Por, për t’ia ofruar këtë alternativë Kosovës, LDK-ja së pari duhet të ndryshojë vetë”, ka theksuar Bajrami.
Sipas saj, partia nuk mund të kërkojë meritokraci në shtet nëse nuk e zbaton atë brenda strukturave të veta.
“Nuk mund të flasim për demokraci, nëse çdo mendim ndryshe shpallet armiqësi. Nuk mund të pretendojmë se do ta bashkojmë Kosovën, nëse nuk arrijmë ta bashkojmë familjen tonë politike”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se personalitetet në LDK nuk duhet të largohen sa herë që shprehin mendim ndryshe, ndërsa ka shtuar se partia nuk është pronë e askujt.
“LDK-ja u përket anëtarëve, veprimtarëve dhe votuesve të saj”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shihet si fundi i dikujt, por si mundësi për një fillim të ri dhe të përbashkët
“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Duhet të bashkohet, që të fitojë. Dhe duhet të fitojë, që t’i shërbejë Kosovës”, ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/
