Rihapet procesi gjyqësor për krime lufte ndaj Gjokoviçit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka rihapur të hënën shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat e tjera të Pejës, Millorad Gjokoviç, sipas raportimit të mediumit për monitorimin e drejtësisë Betimi për Drejtësi.
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë nuk ka arritur të siguronte dëshminë e dëshmitares Nurije Krasniqi sipas kërkesës, prandaj gjykata konstatoi se është e nevojshme që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës.
Gjokoviç akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit mizor dhe çnjerëzor, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Ndryshe, dhjetëra persona persona janë dënuar për krime lufte nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare, ndërsa shteti serb refuzon të kërkojë falje, madje mbron kriminelët e luftës që sot e kësaj dite shëtisin të lirë apo mbajnë poste të larta në Serbi.
