Nga forcimi i bashkëpunimit te mbështetja për Prishtina 2030: Kosova dhe Franca nënshkruajnë pesë marrëveshje

Kosova dhe Franca kanë nënshkruar pesë marrëveshje që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, përfshirë drejtësinë, arsimin, kulturën dhe financimin e projekteve strategjike.

Marrëveshjet u nënshkruan të hënën gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, i cili u prit nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, palët nënshkruan letrën e qëllimit për themelimin e Komunitetit Kosovaro-Francez, i cili do të mbështesë organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Po ashtu, u nënshkrua marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, Marrëveshja për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale, si dhe Marrëveshja për ekstradim ndërmjet dy vendeve.

Pjesë e marrëveshjeve ishte edhe Marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila lidhet me financimin e projektit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Katër marrëveshjet e para u nënshkruan nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe ministri francez Benjamin Haddad, ndërsa marrëveshja e kredisë u firmos nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri Haddad.

Këto marrëveshje, sipas palëve, synojnë të forcojnë më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe të hapin mundësi të reja bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.

Go to TOP