Kurti: Sakrifica e Enver Zymerit mbetet shembull

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë bërë homazhe te lapidari në vendin e rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut, në 15-vjetorin e rënies së tij.

Pas homazheve, Kurti tha se sakrifica e Enver Zymerit dhe e policëve të tjerë të rënë në detyrë duhet të shërbejë si shembull për të gjithë zyrtarët shtetërorë.

“Është një obligim i yni që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë, për nga sakrifica edhe vetëmohimi. Sot gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht falë Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundim të ligjit, paqe dhe siguri për të gjithë pa dallim”, deklaroi Kurti.

Ai kujtoi se më 26 korrik shënohen 15 vjet nga rënia heroike e Enver Zymerit, ndërsa përmendi edhe 20-mujorin e sulmit ndaj kanalit Ibër-Lepenc, duke theksuar rëndësinë strategjike të kësaj infrastrukture për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë.

“Sot janë bërë 15 vjet prej rënies heroike të Enver Zymerit. Por njëkohësisht këtu do të shënojmë edhe 20 mujorin e hedhjes në erë të kanalit Ibër-Lepenc, i cili furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Republikës sonë, e po ashtu edhe termoelektranat në Obiliq, të cilat na furnizojnë me energji elektrike. Për këtë rastin e dytë, siç e dimë, tre veta janë në burg dhe ka një proces të drejtësisë kundër tyre”, tha ai.

Duke folur për vrasjen e Enver Zymerit, ai u shpreh se autorët nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë.

“Herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbetet i pandëshkuar. Prokuroria dhe gjyqësia e Kosovës e kanë mbështetjen tonë dhe detyrën e tyre për ta çuar këtë proces deri në fund”, deklaroi Kurti.


Go to TOP