Mbyt qenin me veturë në Ulqin dhe tenton të arratiset, arrestohet në kufi

Një shtetase e Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Ulqin, pasi dyshohet se me veturën e saj ka përplasur për vdekje një qen dhe më pas ka tentuar të largohej nga Mali i Zi.

Sipas mediave lokale në Ulqin, rasti është raportuar rreth orës 15:15, kur pronari i qenit ka njoftuar policinë se një person i panjohur, duke drejtuar një Mercedes të bardhë me targa të Shkupit, dyshohet se e kishte goditur qëllimisht kafshën në rrugë, duke i shkaktuar vdekjen.

Policia e Ulqinit ka nisur menjëherë kërkimet dhe, rreth orës 16:40, ka identifikuar dhe ndaluar të dyshuarën S.S. (46) në pikën e përbashkët kufitare Sukubinë–Muriqan, teksa dyshohet se po përpiqej të largohej nga territori i Malit të Zi.

Pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Ulqin, ajo është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “vrasja dhe keqtrajtimi i kafshëve dhe shkatërrimi i habitatit të tyre”.

Në vendin e ngjarjes janë kryer veprimet e nevojshme të ekspertizës, ndërsa e dyshuara pritet të dalë para prokurores kompetente brenda afatit ligjor.


Go to TOP