Rama kërkon sqarime publike nga BIRN dhe Kallxo për “Lule Gjeli”, paralajmëron rishqyrtim të bashkëpunimit institucional

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime publike nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Internews Kosova dhe drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, lidhur me publikimin e një analize të nënshkruar nga profili “Lule Gjeli”.

Rama e cilësoi këtë publikim si një “alarm të frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore” duke ngritur disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje publike. Ai kërkon të dihet se kush fshihet pas emrit “Lule Gjeli”, nëse ka pasur bashkëpunime të tjera me këtë profil, sa ka zgjatur bashkëpunimi, nëse autori është paguar dhe nga cilat fonde, si dhe nëse ndonjë politikan ka qenë i përfshirë në diskutimet për publikimin e opinioneve.

Po ashtu, Rama kërkon që BIRN dhe Kallxo të sqarojnë nëse do t’u kërkojnë falje personave që, sipas tij, janë dëmtuar nga aktiviteti i profilit “Lule Gjeli” duke thënë se edhe ai është një prej tyre.

Ai ka bërë të ditur se pret përgjigje publike deri të hënën dhe ka paralajmëruar se, deri në sqarimin e plotë të këtyre çështjeve, Komuna e Prishtinës do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Sipas tij, nëse sqarimet nuk përmbushin standardet e transparencës, do të kërkojë ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me këtë organizatë.

Rama theksoi se institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë interesin publik dhe besimin e qytetarëve duke shtuar se fondet dhe hapësirat publike duhet të administrohen vetëm në funksion të qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP