Trump thotë se Irani është “shumë më serioz” në bisedime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Uashingtoni dhe Teherani ende po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre, edhe pse sulmet janë intensifikuar në të gjithë rajonin, duke rritur më shumë rrezikun që konflikti të përshkallëzohet në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme.

“Po bisedojmë me ta. Mendoj se po tregohen seriozë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar negociatorëve iranianë.

“Mendoj se… janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai më 24 korrik.

Trump ka folur shpesh për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, duke pretenduar herë pas here se një marrëveshje paqeje është afër që të arrihet, por bisedimet kanë dështuar dhe veprimet ushtarake kanë rifilluar.

I pyetur nëse kishte marrë një vendim për rifillimin e sulmeve në shkallë të plotë, mes raportimeve të mediave se po takohej me këshilltarët e tij për këtë çështje, Trump u përgjigj: “Jo, nuk kam marr një vendim të tillë”.

“Jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për të vepruar. Por, po bisedojmë me ta, kështu që mendoj se derisa po bisedojmë, do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj. Besoj se… ata janë shumë seriozë. Duhet të jenë”, tha Trump, pa sqaruar se si po zhvilloheshin bisedimet.

Komentet e tij erdhën pas një dite gjatë së cilës forcat amerikane goditën objektiva në mbarë Iranin, ndërsa më herët Trump ishte zotuar për “ndëshkim të madh ushtarak” ndaj Iranit, pasi tre ushtarakë amerikanë u vranë në Jordani dhe një tjetër humbi jetën në Irak.

Komentet e Trumpit erdhën po ashtunë kohën kur sulmet u zgjeruan në të gjithë rajonin në orët e para të 25 korrikut. Forcat e udhëhequra nga Arabia Saudite goditën pozicionet e rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani, në Jemen, pasi ky grup sulmoi anije saudite në Detin e Kuq, veprime që rrezikuan ta përfshijnë në konflikt edhe Pakistanin, aleat të Arabisë Saudite.

“Organizata terroriste ushtarake Huthi… shënjestroi anije tregtare në Detin e Kuq”, tha zëdhënësi i ushtrisë saudite, Turki al-Maliki, në platformën X.

Ai shtoi se koalicioni kishte “ndërmarrë një përgjigje vendimtare dhe të fuqishme”, duke goditur objektet ushtarake të rebelëve që përdoreshin për të kërcënuar lundrimin në Detin e Kuq, si dhe se “operacioni ushtarak tashmë ka përfunduar”.

Aleati i Shteteve të Bashkuara tha se do të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur anijet e tij dhe interesat e tjera. Ai nuk specifikoi se cilët janë anëtarët e koalicionit, megjithëse ai zakonisht përbëhet nga aleatët rajonalë të Riadit.

Pas sulmeve saudite, rebelët Huthi pretenduan se kishin lëshuar një raketë drejt qytetit jugor saudit, Jizan, ndërsa autoritetet e mbretërisë lëshuan paralajmërime të shkurtra për banorët e atjeshëm.

Pakistani dënoi sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve të lidhura me Arabinë Saudite. Gjithashtu paralajmëroi se çdo veprim agresiv ndaj anijeve me flamur pakistanez ose interesave detare të vendit do të konsiderohej një “kërcënim serioz”, i cili mund të çojë në “përdorim të ligjshëm të forcës”.

Pakistani, një ndërmjetës kyç në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit, është gjithashtu aleat i Arabisë Saudite. Marrëveshja Strategjike e Mbrojtjes së Ndërsjellë, e nënshkruar mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit në shtator të vitit 2025, përcakton se “çdo agresion ndaj njërës prej dy vendeve do të konsiderohet agresion ndaj të dyja vendeve”.

Sulmet saudite erdhën pasi rebelët Huthi njoftuan se po vendosnin një bllokadë detare ndaj anijeve me flamur saudit në Ngushticën Bab al-Mandeb, në Detin e Kuq.

Rebelët goditën dy cisterna saudite më 23 korrik dhe sipas raportimeve, sulmuan edhe një tjetër vonë më 24 korrik.


Go to TOP