Ligjëratë për rëndësinë e vaksinimit
Rritja e rasteve me fruth ka nxitur një fushatë më të gjerë ndërgjegjësuese. Këtë të premte, mesazhi për rëndësinë e vaksinimit u përcoll edhe nga xhamitë në mbarë vendin, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
Besimtarët në namazin e xhumasë, në xhamitë anembanë Kosovës, dëgjuan ligjërata nga imamët për rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të fruthit. Kjo nismë erdhi si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me synim ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit. Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, çdo nismë që është në interes të qytetarëve, ka gjetur dhe do të gjejë mbështetjen e këtij institucioni.
“Ju kemi përgjigj Institutit duke bërë një udhëzim, domethënë duke shpërndarë një qarkore në të gjitha këshillat e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, pra për t’ju udhëzuar imamët që të flasin rreth kësaj çështje, të sensibilizojnë pra xhematin, të flitet për rrezikshmërinë që ka fruthi dhe që mund të jetë edhe pasojat duke u bazuar gjithëherë në pra rekomandimet e njerëzve kompetentë”, tha Fitim Gashi nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Pas konfirmimit të rreth 70 rasteve me fruth, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka shtuar përpjekjet për ndërgjegjësimin e prindërve. Sipas IKSHPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku, e vlerësoi bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovës duke theksuar se mesazhi për rëndësinë e vaksinimit është përcjellë njëkohësisht në të gjitha xhamitë e vendit.
“Një bashkëpunim të mirë e kemi pasur në të kaluarën me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe i jemi afruar me pyetjen a dojnë me na përkrahë edhe kanë qenë shumë të gatshëm me na ndihmu. Dhe na e kanë dërguar shkresën ku kanë treguar se në ditën e sotit do të jenë, do të mbahet një mësim lidhur me fruthin në të gjitha xhamitë e Kosovës”, tha ajo.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se vaksinimi është masa më e rëndësishme për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Krahas institucioneve, rol të rëndësishëm në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve kanë edhe mediat, të cilat kontribuojnë në promovimin e vaksinimit dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
