Këshilli Lokal Qendra propozon 50 mijë euro investime për transformimin e zonës: nga efiçienca energjetike te hapësirat publike dhe siguria
Këshilli Lokal Qendra ka përgatitur një projekt gjithëpërfshirës për buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2027, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të Zonës Qendra dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët.
Projekti, i hartuar me përfshirjen e arkitektëve profesionistë dhe i përmbledhur në një dokument prej mbi 50 faqesh, parasheh investime prioritare në vlerë prej 50 mijë eurosh për këtë zonë.
Kryetari i Këshillit Lokal Qendra, Sadudin Hasani, në një prononcim për Kosova.info, ka bërë të ditur se ndër kërkesat kryesore përfshihen efiçienca energjetike në ndërtesat kolektive, fasadimi i ndërtesës në Sheshin Skënderbeu, restaurimi i fasadave me prioritet objektet historike dhe lirimi i hapësirave publike për qytetarët.
Sipas tij, projektet përfshijnë edhe rregullimin e infrastrukturës nëntokësore në rrugët Simon Shiroka dhe Nurije Zeka, trajtimin e garazheve në rrugën Sylejman Vokshi, si dhe rregullimin e Lagjes së Universitetit.
Një pjesë e rëndësishme e propozimeve lidhet me sigurinë dhe qasjen publike, ku parashihet vendosja e kamerave inteligjente, montimi i hidrantëve në ndërtesat kolektive, vendosja e sinjalistikës me numrat emergjentë, ndriçimi LED në rrugica dhe hapësira të errëta, si dhe lyerja dhe ndriçimi i tuneleve.
Këshilli Lokal Qendra ka kërkuar gjithashtu përmirësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara në ndërtesat kolektive, vendosjen e ashensorëve në disa objekte shumëkatëshe, përfshirë Soliterin Avalla, Soliterin Hy. 56 në rrugën Hajdar Dushi, si dhe ndërtesat në Sheshin Zahir Pajaziti dhe Sheshin Nënë Tereza.
Në kuadër të përmirësimit të mjedisit urban, projekti parasheh shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, mbjelljen e pemëve, pastrimin e grafiteve dhe realizimin e muraleve artistike.
Ndër projektet sociale dhe komunitare janë edhe ndërtimi i objektit të ri të çerdhes “Buzëqeshja”, krijimi i këndeve të lojërave në rrugët Sylejman Vokshi, Nurije Zeka dhe Simon Shiroka, si dhe krijimi i një hapësire për aktivitete të të rinjve, pensionistëve dhe organizatave lokale.
Këshilli Lokal Qendra ka propozuar gjithashtu zgjidhje për strehimin e familjeve të dëbuara nga vendbanimet e tyre, në kuadër të projektit për parkingun nëntokësor te Biblioteka Kombëtare.
“Qëllimi i këtyre propozimeve është krijimi i një Zone Qendra më të sigurt, më të pastër, më të gjelbër, më të qasshme dhe me standarde më të larta jetese për të gjithë banorët”, ka deklaruar Sadudin Hasani, kryetar i Këshillit Lokal Qendra. /Kosova.info/
