Haxhiu në Festivalin e Domates në Mamushë: Bujqësia është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen e edicionit të 17-të të Festivalit Ndërkombëtar të Domates në Mamushë, ku vlerësoi rëndësinë e bujqësisë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se bujqësia mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, duke nënvizuar se çdo hektar i punuar dhe çdo produkt që arrin te konsumatori kontribuon në forcimin e zhvillimit ekonomik.
Ajo shprehu mirënjohje për punën e fermerëve, familjeve të tyre, grave dhe të rinjve, të cilët, sipas saj, me përkushtimin e tyre kanë bërë që Mamusha të njihet për cilësinë e prodhimeve bujqësore, veçanërisht të domates.
Haxhiu u shpreh se festivali duhet të vazhdojë të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet prodhuesve, bizneseve dhe qytetarëve, duke promovuar vlerat e bujqësisë dhe potencialin e Kosovës.
Në fund, ajo u uroi fermerëve një sezon të suksesshëm, me prodhim të bollshëm dhe treg të sigurt, duke shprehur bindjen se domatja e Mamushës do të zgjerojë praninë e saj në gjithnjë e më shumë tregje, duke forcuar reputacionin e komunës për cilësinë dhe traditën e saj. /Kosova.info/
