Policia alarmon për sigurinë në rrugën Kijevë-Zahaq, kërkon masa urgjente nga kompanitë
Komandanti i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Pejë, Kapiten Teki Sylaj, ka zhvilluar të premten një takim pune me përfaqësuesit e kompanive që po realizojnë punimet për zgjerimin e segmentit rrugor Kijevë–Zahaq, pjesë e rrugës nacionale N9.
Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, në takim u diskutua për sigurinë rrugore dhe menaxhimin e qarkullimit gjatë zhvillimit të punimeve, me theks të veçantë te masat parandaluese për rritjen e sigurisë në trafik duke marrë parasysh edhe fluksin e shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.
Policia kërkoi nga kompanitë punë-kryese që të shtojnë dhe përmirësojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor duke vendosur shenja shtesë paralajmëruese dhe orientuese në zonat ku po zhvillohen punimet, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt.
Në komunikatë thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë do të vazhdojë zbatimin e planeve operative dhe masave parandaluese për rritjen e sigurisë në komunikacion, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e trafikut, sinjalizimin rrugor, kufizimet e shpejtësisë dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, veçanërisht në segmentet ku po zhvillohen punime.
