AKB: Vonesat në reforma rrezikojnë 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së për Kosovën
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të 882.6 milionë eurove të ndara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për periudhën 2024–2027, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të kërkuara, njofton Kosova.info.
Sipas AKB-së, fakti që Kosova ishte vendi i fundit në rajon që dorëzoi raportin për zbatimin e reformave, madje vetëm pak para skadimit të afatit, dëshmon mungesë të planifikimit strategjik, koordinimit institucional dhe përgjegjësisë ndaj një procesi me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.
AKB thekson se Kosova ka në dispozicion 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por deri tani ka përfituar vetëm 61 milionë euro në formë parafinancimi, ose rreth 7 për qind të shumës së përgjithshme, ndërsa ende nuk ka marrë asnjë pagesë të rregullt. Në të njëjtën kohë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë përfituar tashmë disa këste financimi.
Organizata rikujton se, sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të humbasin deri në 700 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse nuk zbatojnë reformat brenda afateve të përcaktuara. Në këtë kontekst, AKB vlerëson se ritmi i ngadalshëm i reformave në Kosovë mund të çojë në humbjen e një pjese të fondeve të destinuara për zhvillimin ekonomik, investimet publike, sektorin privat dhe mirëqenien e qytetarëve.
Sipas AKB-së, këto vonesa nuk janë vetëm çështje administrative, por kanë pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi, duke nënkuptuar më pak investime, më pak vende të reja pune, mbështetje më të ulët për bizneset dhe ngadalësim të procesit të integrimit evropian.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, u shpreh se Kosova nuk ka luksin të humbasë asnjë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.
“Çdo afat i humbur është një mundësi e humbur për zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria duhet të veprojë me urgjencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi për të përmbushur të gjitha reformat, në mënyrë që fondet evropiane të mos mbeten vetëm premtime, por të shndërrohen në investime konkrete për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e Kosovës”, deklaroi Shahini.
AKB i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë dhe zbatojë sa më shpejt një plan dinamik për realizimin e reformave, me afate të qarta, përgjegjësi institucionale dhe transparencë të plotë, në mënyrë që Kosova të mos mbetet vendi i fundit në rajon në përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Në fund, AKB ritheksoi se fondet e BE-së përbëjnë një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe se përmbushja e reformave duhet të jetë prioritet kombëtar dhe institucional, për të shmangur humbjen e mbështetjes financiare dhe ndikimin negativ në ekonominë e vendit.
