Fitimi neto arrin në 6.25 milionë euro, mbi dy herë më shumë se një vit më

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Telekomi i Kosovës ka regjistruar një rritje të ndjeshme të të hyrave neto, duke arritur në 6.25 milionë euro.

Kjo shifër shënon një rritje prej mbi 3 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur të hyrat ishin 2.78 milionë euro, dhe një vazhdimësi të trendit pozitiv nga viti 2024, ku të hyrat për të njëjtën periudhë kapnin vlerën prej 2.27 milionë eurosh.

 “Të hyrat në gjashtë mujorin e parë janë 33.9 milionë euro. Në gjashtë mujorin e vitin 2025 kanë qenë 30.2 milionë. Kemi arrit me e mbajt trendin e shpenzimeve të njëjtë. Kjo ka ndikuar që fitimi të rritet nga 2.8 milionë në 6.2 milionë. Trendi pozitiv është si rezultat i përmirësimit të shërbimeve për shkak të investimeve”, ka thënë Feim Kelmendi, u.d. zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit.

Zyrtarë të Telekomit theksojnë se investimet milionëshe në telefoninë mobile, modernizimi i rrjetit dhe zgjerimi i rrjetit optik kanë qenë shtytësit kryesorë të rritjes së të hyrave, ndonëse ndërmarrja ka hasur në sfida të vazhdueshme operative gjatë kësaj periudhe.

 “Në fund të vitit 2027 telekomi do ta zgjeroj rrjetin optik pothuajse në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Telekomi përballet me disa sfidave. Vitet e kaluara kishim sfida financiare, tani kryesisht procedurat e prokurimit nuk na lejnë të ecim me ritmin që duhet”, ka shtuar Kelmendi.

Si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave neto të ndërmarrjes, paga e një pjese të punëtorëve të Telekomit të Kosovës janë ngritur për mbi 11 për qind, ndërsa për pjesën tjetër rritja ka arritur edhe në rreth 30 për qind.

Go to TOP