Trump thotë se Irani “do të paguajë” për vrasjen e ushtarëve amerikanë

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani “do të paguajë” për vrasjen e ushtarëve amerikanë.

Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social më 20 korrik pasi gjatë fundjavës vdiqën tre ushtarë, Trump tha se “sa herë Irani vret ushtarë amerikanë, ata do të paguajnë për vrasjen shumëfish”.

Trump shtoi se ia ka përcjellë këtë urdhër sekretarit amerikan të Mbrojtjes*, Pete Hegseth, si dhe “çdo udhëheqësi në ushtri”.

Deklarata e tij vjen pasi dy ushtarë amerikanë u vranë nga sulmet iraniane me dronë dhe raketa në një bazë ushtarake amerikane në Jordani më 17 korrik. Më pas, ushtria amerikane tha më 19 korrik se edhe një ushtar ishte vrarë pas sulmeve iraniane me dronë në Irak.

Një ditë më pas, ushtria amerikane njoftoi se ka kryer sulme në natën e nëntë me radhë ndaj Iranit, me qëllim që të dobësojë aftësitë e Teheranit për të goditur anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Trump tha se sulmet u kryen në nderim të amerikanëve të vrarë gjatë operacioneve të ditëve të fundit.

Lufta në Iran nisi në fund të shkurtit pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Republikës Islamike. Palët më pas arritën një marrëveshje armëpushimi dhe një memorandum mirëkuptimi.

Por, SHBA-ja rinisi sulmet pasi e akuzoi Iranin për sulme ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit – arterie kyç për dërgesat botërore të naftës dhe gazit. Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar shtetet fqinje që janë mikpritëse të bazave ushtarake amerikane.

*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025 duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë.

Go to TOP