Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Parkut Industrial në Podujevë
Ministrja e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe e Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë, një projekt strategjik që synon të krijojë kushte moderne për prodhim, investime dhe punësim në rajonin e Llapit.
Parku Industrial në Podujevë, i cili nisi si projekt ideor para dy vitesh, hyn në fazën e zbatimit pas përfundimit të përgatitjeve nga Komuna e Podujevës dhe tejkalimit të procedurave të nevojshme.
Projekti do të financohet në tërësi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me një investim prej 3,118,295.56 euro. Komuna e Podujevës ka siguruar tokën dhe ka përfunduar studimin e fizibilitetit, duke krijuar kushtet për zhvillimin e parkut në një sipërfaqe prej 29 hektarësh, për të cilën tashmë është shprehur interes i madh nga bizneset.
Sipas ministres Kusari-Lila, ky investim do të kontribuojë në forcimin e prodhimit vendor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Parku Industrial do të ndërtohet sipas parimeve të tranzicionit të gjelbër, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me fokus në mbrojtjen e mjedisit. Kjo pritet t’u krijojë bizneseve kushte më të favorshme për zhvillim dhe qasje më të lehtë në fondet evropiane.
Parku Industrial në Podujevë është pjesë e vizionit të MINTI-t për ndërtimin e një rrjeti modern të parqeve industriale në mbarë Kosovën, me synim nxitjen e prodhimit, rritjen e eksporteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ministria thekson se, përmes bashkëpunimit me komunat, po realizohen projekte që synojnë të tërheqin investime të reja, të krijojnë vende pune dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve.
