Hapet “Tregu në Rrota”, synon promovimin e bizneseve të vogla

Gjatë ditës së sotme është bërë hapja e aktivitetit “Tregu në Rrota”, iniciativë kjo e shoqatës “Pepeko” në partneritet me Bankën për Biznes dhe me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kryetari i shoqatës “Pepeko”, Hartim Gashi, tha se kjo iniciativë do të udhëtojë në shtatë qytete, andaj, sipas tij, është quajtur “Tregu në Rrota”.

“Ndryshe prej iniciativave të zakonshme të promovimit të produkteve vendore, e kemi quajtur “Tregu në Rrota”, sepse ky treg do të lëvizë në gjithë Kosovën, do t’i vizitojë shtatë qendrat e Kosovës, ku ka për qëllim t’i lidhë prodhuesit vendorë lokalë me konsumatorët dhe t’u ofrojë mundësi bizneseve që t’i shesin produktet e tyre”, tha Gashi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi të gjithë mbështetësit e kësaj iniciative, duke e cilësuar atë si më ndryshe dhe më të veçantë.

“I falënderoj edhe ekipet këtu, ekipin menaxhues të PPSE-së, së bashku me drejtorin, po ashtu drejtorin e EBRD-së dhe të BPB-së, që kanë marrë këtë iniciativë për me i përkrahur bizneset vendore, të cilët prodhojnë pemë e perime në kryeqytet. Është një iniciativë që po e shoh se është pak më ndryshe, dhe secila iniciativë që i ndihmon bizneset e vogla, bizneset e mesme në kryeqytet e në të gjithë Kosovën, është një iniciativë e mirëseardhur, sepse, përveç që ndihmohen këto biznese, secili biznes mban familje”, tha Rama.

Drejtori i BERZH-it, Sergiy Maslichenko, tha se këto aktivitete bëhen me qëllim që të ndihmohen ndërmarrjet e vogla që të hyjnë në treg.

“Mbështetja për NVM-të (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) është një strategji kyçe e BERZH-it dhe këto aktivitete janë pjesë e mbështetjes sonë më të gjerë. Ne dëshirojmë t’i ndihmojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të depërtojnë në treg, të kenë qasje në financim, gjë që shpesh është shumë e vështirë në Kosovë. Me partnerin e duhur, siç është BPB në këtë rast, jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur”, tha ai.

Kjo iniciativë do të jetë prezente edhe në Mitrovicë, Ferizaj, Viti dhe qytete të tjera.


Go to TOP