Gjermania mbështet projektin për fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë
Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për zbatimin e projektit “Fuqizimi Ekonomik i Grave”, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti bëri të ditur se projekti do të realizohet në kuadër të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, ndërsa ministria që ai drejton është përzgjedhur nga GIZ-i për zbatimin e tij.
“Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik të grave mbi moshën 30-vjeçare në Republikën e Kosovës, duke u krijuar atyre më shumë mundësi për aftësim, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka shkruar Hoti.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Republikës Federale të Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për përkrahjen e qytetarëve të saj. /Kosova.info/
