Policia e Kosovës i përgjigjet Eparkisë Rashkë-Prizren: Pretendimet për presion ndaj serbëve janë të pabazuara

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Eparkisë Rashkë-Prizren duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet se institucioni ushtron presion, diskriminim apo frikësim ndaj komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në komunikatën e publikuar të premten, Policia thekson se vepron ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane duke nënvizuar se përbërja e saj shumetnike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes përjashtojnë çdo veprim mbi baza etnike, fetare apo politike.

Sa i përket ceremonisë së 28 qershorit 2026 në Gazimestan, Policia sqaron se aktiviteti është zhvilluar pa pengesa, ndërsa masat e ndërmarra pas përfundimit të tij kanë qenë të drejtuara vetëm ndaj personave të dyshuar për nxitje të urrejtjes, provokim ose cenim të rendit publik. Sipas saj, vendimet për gjoba, dëbime apo ndalim hyrjeje janë marrë nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore.

Policia rikujton gjithashtu se garantimi i lirisë së besimit dhe mbrojtja e objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare mbeten ndër prioritetet e saj. Aktualisht, 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe ruhen 24 orë në ditë nga Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK), ku mbi 16 për qind e pjesëtarëve janë nga komuniteti serb.

Në komunikatë publikohen edhe statistika zyrtare, sipas të cilave shumica e rasteve të evidentuara në objektet fetare gjatë viteve 2024–2026 kanë ndodhur në objekte myslimane dhe në pjesën më të madhe lidhen me vjedhje dhe vjedhje të rënda.

Policia shton se rastet me motive të mundshme ndëretnike kanë shënuar rënie të vazhdueshme, nga 31 raste në vitin 2023, në 25 raste në vitin 2024 dhe vetëm 5 raste gjatë vitit 2025.

Në fund, Policia e Kosovës rithekson përkushtimin për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare duke ftuar qytetarët të vazhdojnë bashkëpunimin për ruajtjen e sigurisë publike. /Kosova.info/


Go to TOP