Kosova merr pjesë për herë të parë si anëtare kandidate në sesionin plenar të KESE-së, drejtori i KCSF-së reagon ndaj deklaratës së ministres serbe
Kosova ka marrë pjesë për herë të parë si Anëtare Kandidate për Zgjerim në Sesionin Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në kuadër të tryezës së nivelit të lartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, të mbajtur në ndërtesën Charlemagne të Komisionit Evropian në Bruksel.
Në hapje të sesionit folën Presidenti i KESE-së, Séamus Boland, dhe Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila theksoi se zgjerimi i BE-së është një transformim shoqëror që forcon demokracinë, institucionet dhe të drejtat themelore duke vënë në pah rolin kyç të shoqërisë civile në procesin e integrimit.
Kosovën në diskutimin plenar për përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në e përfaqësoi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka. Ai falënderoi KESE-në për përfshirjen e Kosovës në Nismën për Anëtarë Kandidatë për Zgjerim dhe theksoi se suksesi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor varet nga përfshirja aktive e qytetarëve dhe shoqërisë civile në reformat evropiane.
Puka ngriti shqetësimin për rënien e financimit të shoqërisë civile në rajon pas tërheqjes së USAID-it duke bërë thirrje që Bashkimi Evropian ta trajtojë mbështetjen për organizatat e pavarura si një investim strategjik për demokracinë dhe stabilitetin.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të tij ishte reagimi ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “pastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998. Puka e cilësoi këtë si dëshmi se retorika e luftës vazhdon të jetë e pranishme në rajon dhe kërkoi që Bashkimi Evropian të mos heshtë përballë deklaratave të tilla.
Ai theksoi se konvergjenca me Bashkimin Evropian nënkupton mbi të gjitha përqafimin e vlerave evropiane dhe se vetëm veprimet konkrete mund ta bëjnë parimin “kurrë më luftë” një premtim të besueshëm për të ardhmen.
Në sesion morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe Platformës Civikos. /Kosova.info/
