Ballkani mposht Connah`s Quay Nomads, kalon në rundin e dytë të LK

Ballkani ka siguruar kalimin në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, pasi mposhti Connah’s Quay Nomads me rezultat 3-2 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë në Uells, skuadra nga Suhareka e nisi më mirë përballjen në Prishtinë dhe dominuan pjesën e parë.

Goli i epërsisë erdhi në minutën e 20-të, kur Edvin Kuç shfrytëzoi një rast të mirë për ta kaluar Ballkanin në avantazh. Me rezultatin 1-0 u mbyllën 45 minutat e para.

Skuadra jonë e nisi furishëm pjesën e dytë dhe brenda pak minutash krijoi një epërsi të thellë. Giovanni realizoi për 2-0 në minutën e 49-të, ndërsa Serebe shtoi edhe golin e tretë në minutën e 57-të.

Megjithatë, ekipi uellsian reagoi dhe e bëri fundin e ndeshjes emocionues. Woodcock ngushtoi rezultatin në 3-1 nga pika e bardhë në minutën e 69-të, ndërsa Mehasseb shënoi edhe golin e dytë për mysafirët në minutën e 76-të.

Connah’s Quay ushtroi presion në minutat e fundit dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por Ballkani arriti ta ruajë avantazhin deri në fund.

Ndeshja përfundoi me fitoren 3-2 të Ballkanit, rezultat që i siguroi skuadrës sonë kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Conference League.


Go to TOP