Parandalohet tjetërsimi i 21 pronave në Mitrovicë, arrestohen tre persona

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një tentim për sigurimin e dokumentacionit noterial që dyshohet se synonte tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme, ndërsa janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur një dokument identifikimi të falsifikuar dhe dokumentacion tjetër përcjellës për të siguruar një autorizim noterial, me qëllim disponimin dhe shitblerjen e pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pëlqimin e pronarit legjitim.

Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit, por fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë.

Rasti u zbulua gjatë verifikimit të dokumentacionit, kur u evidentuan mospërputhje në të dhënat identifikuese duke bërë që procedura të ndërpritej para përfundimit të aktit noterial.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë hetimeve janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, një automjet dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me rastin.

Po ashtu, gjatë kontrollit në pronën e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe materiale të tjera në emër të personave të ndryshëm, të cilat do t’i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e falsifikimit të dokumenteve, keqpërdorimit të procedurave noteriale dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga çdo formë e tjetërsimit të kundërligjshëm. /Kosova.info/

Go to TOP