Chelsea sfidon Manchester Unitedin për yllin e Romës

Chelsea është futur në garë për transferimin e mesfushorit të Romës dhe kombëtares së Francës, Manu Kone, duke rivalizuar drejtpërdrejt Manchester Unitedin për shërbimet e 25-vjeçarit.

Kone ishte një nga lojtarët më të spikatur të Francës gjatë Kupës së Botës 2026, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mesfushë përpara eliminimit nga Spanja në gjysmëfinale.

Manchester United e ka ndjekur prej kohësh francezin dhe e konsideron atë një nga objektivat kryesorë për rindërtimin e repartit të mesfushës. “Djajtë e Kuq” kanë bërë tashmë përforcime me emra si Andrey Santos dhe Youri Tielemans, por kërkojnë edhe një tjetër profil të fortë në këtë repart.

Sipas mediave italiane, Chelsea ka shfaqur interes për Kone-n gjatë bisedimeve me Romën për një transferim të mundshëm të Alejandro Garnachos. Klubi londinez ka bërë të ditur se mesfushori francez është një nga lojtarët që pëlqehet nga drejtuesit e “Bluve”.

Roma, për shkak të nevojës për të respektuar rregullat financiare të UEFA-s, është e hapur për shitjen e disa lojtarëve. Një ofertë rreth 50 milionë eurosh pritet të jetë e mjaftueshme për të bindur klubin italian të lejojë largimin e Kone-s.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Chelsea do të arrijë të mposhtë konkurrencën e Manchester Unitedit dhe ta transferojë mesfushorin francez në “Stamford Bridge”.


Go to TOP