Dushi: 57 kamionë me ndihma për Kosovën, 7 për Shqipërinë – vazhdon misioni humanitar i mërgatës nga Suedia
Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, ka marrë pjesë në shkarkimin e kamionit të 57-të me ndihma humanitare të ardhura në Kosovë, falë angazhimit të humanistit dhe mërgimtarit Xhafer Balaj dhe bashkëpunëtorëve të tij në Suedi.
Donacioni i radhës, me vlerë rreth 300 mijë euro, iu dorëzua organizatës HANDIKOS dhe përmban pajisje e materiale që do t’u shërbejnë institucioneve dhe qytetarëve në nevojë. Sipas njoftimit, Kryeqyteti ka mbuluar vetëm shpenzimet e transportit, ndërsa vlera e plotë e donacionit është siguruar nga puna dhe kontributi i mërgimtarëve.
Deri tani, përmes këtij aksioni humanitar, në Kosovë kanë arritur 57 kamionë me ndihma, ndërsa 7 kamionë të tjerë janë dërguar në Shqipëri.
Dushi ka shprehur mirënjohje për Xhafer Balajn dhe të gjithë kontribuuesit duke vlerësuar këtë angazhim si dëshmi të lidhjes së fortë të mërgatës me vendlindjen dhe solidaritetit të saj të vazhdueshëm me Kosovën dhe Shqipërinë. /Kosova.info/
