FFK uron Malishevën për kualifikimin në raundin e dytë të Conference League
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka uruar FC Malishevën për kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Conference League, pas fitores bindëse 5:0 ndaj Vllaznisë së Shkodrës në ndeshjen e kthimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, FFK vlerësoi reagimin e skuadrës pas humbjes 2:1 në ndeshjen e parë, duke theksuar karakterin dhe cilësinë e treguar nga ekipi.
“FC Malisheva siguroi me meritë kalimin në raundin e dytë të UEFA Conference League. Pas humbjes 2:1 në Shkodër, skuadra reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke treguar karakter, cilësi dhe shpirt të jashtëzakonshëm gare për të vazhduar rrugëtimin në Evropë”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Federata përgëzoi futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët për këtë sukses, duke shtuar se kualifikimi i Malishevës është dëshmi e rritjes së vazhdueshme të futbollit kosovar.
Në fund, FFK i uroi klubit suksese edhe në raundin e dytë të garës evropiane. /Kosova.info/
