`Mbappe s’do ta arrijë Messin e Ronaldon, por synon historinë`

Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Aston Villa, Dëight Yorke, ka vlerësuar se Kylian Mbappe ka potencialin të lërë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kupës së Botës, megjithëse sipas tij, francezi vështirë se do të arrijë statusin e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos si futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Në një prononcim për “BOYLE Sports”, Yorke tha se Mbappe ka shkëlqyer në arenën botërore dhe mund të konsiderohet si lojtari më i madh në historinë e Botërorit, por jo domosdoshmërisht si më i miri i të gjitha kohërave.

“Mendoj se Kylian Mbappe do të mbetet pak prapa Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit në garën për futbollistin më të madh të historisë. Megjithatë, besoj se ai mund të hyjë në histori si lojtari më i madh që ka parë ndonjëherë Kupa e Botës,” u shpreh Yorke.

Ai shtoi se për t’u futur në diskutimin për statusin “Më i miri i të gjitha kohërave”, Mbappe duhet të dominojë edhe në futbollin e klubeve.

“Për të qenë më i madhi i të gjitha kohërave, ai duhet të arrijë vazhdimisht fazat e fundit të Ligës së Kampionëve, ta fitojë atë disa herë dhe të sigurojë Topin e Artë në mënyrë të përsëritur. Këto janë arritjet që e vendosin një futbollist në atë nivel,” deklaroi ish-reprezentuesi i Trinidad dhe Tobagos.

Yorke vlerësoi gjithashtu cilësitë e sulmuesit francez, duke theksuar shpejtësinë, lëvizjen pa top, kreativitetin dhe inteligjencën në lojë, elemente që, sipas tij, e kanë bërë Mbappen një nga protagonistët kryesorë të Kupës së Botës.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ka konfirmuar se Mbappe është plotësisht i gatshëm për gjysmëfinalen ndaj Spanjës, duke e cilësuar sulmuesin “100 për qind të gatshëm” për sfidën vendimtare.


Go to TOP