Paralajmërim për përhapjen e mushkonjës tigër në Kosovë, qytetarët ftohen të ndihmojnë në monitorim
Ekspertët kanë bërë të ditur se mushkonja tigër (Aedes albopictus), e identifikuar për herë të parë në rajonin e Prizrenit në vitin 2020, po përhapet gradualisht edhe në rajone të tjera të Kosovës.
Ky lloj mushkonje është aktiv gjatë ditës, shkakton shqetësime përmes pickimeve dhe njihet si transmetues i viruseve Dengue, Chikungunya dhe Zika. Megjithëse këto viruse nuk qarkullojnë në mënyrë të vazhdueshme në Evropë, ato importohen nga persona të infektuar që kthehen nga vendet endemike, kryesisht nga Azia. Sipas ekspertëve, numri i rasteve të importuara është në rritje, veçanërisht në Itali, Francë dhe vende të tjera evropiane.
Një person i infektuar që kthehet nga një zonë endemike mund të bëhet burim i transmetimit lokal të sëmundjes nëse pickohet nga mushkonja tigër.
Në shumë shtete evropiane, qytetarët kontribuojnë në monitorimin e kësaj specieje duke dërguar fotografi dhe duke marrë pjesë në projekte të kërkimit shkencor në kuadër të nismës “citizen science”.
Në Kosovë, qytetarët që vërejnë mushkonjën tigër ftohen të dërgojnë fotografi te Departamenti i Mjekësisë Veterinare i Universitetit të Prishtinës, si dhe te studiuesit Nesade Muja Bajraktari, Betim Xhekaj dhe Kurt Sherifi, për të ndihmuar në monitorimin dhe hulumtimin e përhapjes së kësaj specieje.
