​Vdiq gazetari serb që hetonte rastin e Oliver Ivanoviqit, gjendja iu përkeqësua në burg

Ka ndërruar jetë gazetari serb që hetonte rastin e Oliver Ivanoviqit. Stefan Cvetkoviq ishte duke vuajtur një dënim me burg, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar gjatë qëndrimit në institucionin korrektues. Për shkak të gjendjes së rënduar, ai ishte transferuar për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku edhe ka vdekur.

Të njëjtit, siç shkruajnë mediat serbe, i ishte përkeqësuar gjendja sa ishte në burg.

Cvetkoviq ishte i njohur për raportimet dhe hetimet e tij mbi vrasjen e Oliver Ivanoviqit, si dhe për kritikat ndaj autoriteteve serbe, gjegjësisht presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në vitin 2024 ai u dënua në shkallë të parë me dy vjet e tre muaj burg dhe me një gjobë, pas tre padive penale private të ngritura nga zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas agjencisë Beta, e cila ka pasur qasje në aktgjykime, paditë penale janë ngritur për veprat e pretenduara të fyerjes, si dhe për publikimin dhe shfaqjen pa autorizim të një dokumenti, portreti dhe incizimi të një personi tjetër.

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) dhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV) e cilësuan atëherë vendimin gjyqësor si skandaloz, duke kërkuar që ai të rrëzohej nga instancat më të larta gjyqësore. Sipas këtyre organizatave, vendimi ngrinte shqetësime serioze për lirinë e medias dhe pavarësinë e gjyqësorit në Serbi.

“Personi i dënuar Stefan Cvetkoviq ndërroi jetë këtë mëngjes në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd. Ai ishte i shtruar në këtë institucion shëndetësor që nga 24 qershori, pasi më parë kishte marrë trajtim në Spitalin Special të Burgut në Beograd. Të dhënat për trajtimin e të dënuarit, si dhe të gjitha të dhënat e tjera që ndodhen në kartelën e tij mjekësore, nuk mund t’i bëjmë publike, pasi mbrohen nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ligje të tjera që rregullojnë të drejtat e pacientëve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale për portalin Nova.rs, transmeton KosovaPress.

Politikani i opozitës serbe, Oliver Ivanoviq, u vra pran shtëpisë së tij në veri më 16 janar 2018.


Go to TOP