Garcia kritikohet ashpër pas zëvendësimit të Courtois
Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, është vënë nën kritika të mëdha pas eliminimit nga Kupa e Botës, pas humbjes 2:1 ndaj Spanjës në çerekfinale.
Vendimi i tij për ta zëvendësuar portierin e parë, Thibaut Courtois, në minutën e shtatëdhjetë e një të ndeshjes, ka shkaktuar reagime të shumta në Belgjikë.
Courtois ka ndjerë një shqetësim në këmbë, por vetë kishte besuar se mund ta vazhdonte lojën. Megjithatë, Garcia ka vendosur ta largojë nga fusha, pasi sipas tij portieri nuk ishte 100 për qind i gatshëm fizikisht.
Në vend të tij ka hyrë Senne Lammens, i cili në minutën e tetëdhjetë e gjashtë nuk ka arritur ta kontrollojë një goditje të ulët të Pau Cubarsi. Nga kjo situatë ka përfituar Mikel Merino, i cili ka shënuar golin e fitores për Spanjën.
Vendimi i Garcias është kritikuae ashpër nga analistët belgë. Komentatori Peter Vandenbempt ka thënë se ishte e pakuptueshme që të largohej nga fusha “portieri më i mirë në botë” në një ndeshje çerekfinale të Botërorit.
“E zëvendëson portierin më të mirë në botë gjatë një çerekfinale të Kupës së Botës, sepse nuk mund të godasë topa të gjatë. Nuk mund ta kuptoj”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Garcia e ka mbrojtur vendimin e tij, duke thënë se që nga fillimi i Botërorit kishte vendosur që në fushë të luanin vetëm lojtarët që janë 100 për qind të gatshëm fizikisht.
“Na duheshin topat e gjatë të Thibautit, fillimisht për Charles De Ketelaere dhe më pas për Romelu Lukakun. Nuk donim që lëndimi i tij të përkeqësohej. Prandaj nuk pendohem për vendimin”, ka thënë Garcia.
E ardhmja e trajnerit francez pritet të diskutohet para fundit të muajit, kur i skadon kontrata me Federatën Belge.
Garcia mori drejtimin e Belgjikës në fillim të vitit 2025, me detyrën për ta ringjallur ekipin pas periudhës së Domenico Tedescos.
Gjatë njëzet ndeshjeve si trajner i Belgjikës, Garcia ka regjistruar dymbëdhjetë fitore, gjashtë barazime dhe dy humbje.
