Sadiku: Nëse Vetëvendosje nuk tregon fleksibilitet, Kosova rrezikon zgjedhje të reja

Analisti politik Arbnor Sadiku ka vlerësuar se takimet mes liderëve politikë pas zgjedhjeve janë një zhvillim pozitiv, por ka theksuar se ato nuk do të sjellin rezultat nëse partitë vazhdojnë të mbajnë qëndrime të pandryshuara.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore për zhbllokimin e situatës politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk tregon fleksibilitet për të gjetur një zgjidhje me opozitën për konstituimin e institucioneve, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje. Një skenar i tillë nuk do të ishte fitore për askënd, por humbje për shtetin dhe qytetarët”, ka shkruar Sadiku.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të tregojnë maturi dhe përgjegjësi shtetërore duke nënvizuar se forca e parë politike mban barrën më të madhe të përgjegjësisë për tejkalimin e bllokadës institucionale.

Sipas Sadikut, interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesat partiake, pasi vonesat në krijimin e institucioneve dëmtojnë stabilitetin, investimet dhe besimin e qytetarëve.

“Historia nuk do t’i gjykojë partitë nga përqindjet që fitojnë, por nga përgjegjësia që tregojnë në momentet vendimtare për vendin”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP