IKAF konstituon organet drejtuese të Kuvendit të Anëtarëve për mandatin e ri
Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) ka mbajtur Mbledhjen Konstituive të Kuvendit të Anëtarëve duke zgjedhur organet drejtuese për mandatin e ri dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e qeverisjes institucionale.
Pas procesit të votimit, me shumicë votash, Kuvendi zgjodhi Prof. Dr. Burhan Rexhepin në postin e kryetarit të Kuvendit të Anëtarëve, ndërsa Adelina Zeneli u zgjodh zëvendëskryetare.
Sipas IKAF-it, të zgjedhurit sjellin përvojë të gjerë profesionale, integritet dhe bagazh të pasur akademik e profesional, vlera që pritet të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të institutit dhe në përfaqësimin e interesave të anëtarësisë.
IKAF uroi gjithashtu të gjithë anëtarët e Kuvendit, të cilët kanë marrë besimin e anëtarësisë për të përfaqësuar profesionin me përgjegjësi, transparencë dhe vizion duke theksuar se ky besim përbën një obligim për të punuar në shërbim të zhvillimit të profesionit të kontabilitetit, auditimit dhe financave në Kosovë.
Instituti u uroi Kryetarit, Zëvendëskryetares dhe të gjithë anëtarëve të Kuvendit një mandat të suksesshëm, me vendimmarrje të përgjegjshme dhe angazhim të vazhdueshëm në interes të publikut, anëtarësisë dhe zhvillimit të profesionit. /Kosova.info/
