Konjufca pret organizatorët e “Newborn Kosova 2026”

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën përfaqësuesit e Federatës Ndërkombëtare të Festivaleve të Vallëzimit (FIDAF), organizatorët e “International Dance Art Festival Newborn Kosova 2026”, si dhe grupet folklorike dhe ansamblet pjesëmarrëse në edicionin e pestë të festivalit.

Sipas Konjufcës, festivali këtë vit sjell në Kosovë grupe folklorike dhe ansamble vallëzimi nga Franca, Turqia, Holanda, Meksika, Bullgaria, Hungaria, Greqia, Kosta Rika dhe Kosova.

Ai theksoi rëndësinë e kulturës si urë lidhëse ndërmjet popujve, duke vlerësuar se arti dhe vallëzimi krijojnë komunikim dhe afërsi përtej kufijve dhe protokolleve diplomatike.

“Përmes artit dhe vallëzimit, kulturat takohen në mënyrën më të natyrshme. Kultura shpesh arrin aty ku gjuha zyrtare e diplomacisë është e pamjaftueshme, duke krijuar afërsi dhe duke hapur rrugë të reja komunikimi ndërmjet popujve”, ka shkruar Konjufca.

Në fund, ministri u uroi organizatorëve dhe pjesëmarrësve suksese në edicionin e pestë të “International Dance Art Festival Newborn Kosova 2026”.

Aktivitetet e festivalit Newborn Kosova 2026 do të nisin sot në ora 17:00 me defilenë e ansambleve në sheshin “Katër Dëshmorët” në Podujevë, ndërsa nga ora 20:00 do të mbahet programi artistik, ku pjesëmarrësit do të shfaqin performancat e tyre tradicionale para qytetarëve llapjanë. /Kosova.info/


Go to TOP