Cakolli: Nga 9 korriku nisin afatet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja
Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, nga 9 korriku nisin të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, ka bërë të ditur Eugen Cakolli.
Sipas Cakollit, afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen me sukses të seancës konstituive të Kuvendit zgjat nga 9 korriku deri më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, ndërsa nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e 30-të.
Ai shpjegon se para seancës konstituive duhet të mbahet mbledhja përgatitore me përfaqësuesit e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Seancën konstituive do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i asistuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi.
Sipas procedurës kushtetuese, fillimisht votohet raporti për verifikimin e mandateve, pason betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe më pas e pesë nënkryetarëve.
Cakolli thekson se kandidati për kryetar të Kuvendit propozohet nga LVV-ja si subjekti më i madh parlamentar dhe duhet të sigurojë të paktën 61 vota. Nëse i njëjti kandidat dështon tri herë, duhet të propozohet një kandidat tjetër.
Ai rikujton se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe të pesë nënkryetarët. Vetëm pas kësaj hapen procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, të cilat, sipas tij, janë procese të ndara dhe nuk varen nga njëra-tjetra. /Kosova.info/
