KOMF alarmon për rezultatet e Testit të Arritshmërisë: Arsimi në krizë, duhen reforma të thella

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka vlerësuar se rezultatet e Testit të Arritshmërisë 2026, me një mesatare prej vetëm 48.35 për qind, janë tregues i gjendjes shqetësuese të sistemit arsimor në Kosovë dhe duhet të shërbejnë si alarm për institucionet përgjegjëse.

Sipas KOMF-it, rezultatet dëshmojnë se për të dytin vit radhazi nuk është arritur pragu prej 50 për qind, ndërsa trendi është në rënie krahasuar me vitet e kaluara (2022: 50.75%, 2023: 52.1%, 2024: 52.1%, 2025: 48.8% dhe 2026: 48.35%).

KOMF thekson se nxënësit po arrijnë mesatarisht më pak se gjysmën e kërkesave të testit, çka ngre shqetësime serioze për cilësinë e arsimit dhe përvetësimin e njohurive të parapara me kurrikulat. Organizata kërkon analiza të thelluara dhe masa konkrete të bazuara në evidencë për përmirësimin e rezultateve.

Në reagim thuhet se, përveç cilësisë së ulët të arsimit, shkollat publike përballen edhe me probleme si dhuna, mungesa e gjithëpërfshirjes, infrastruktura e papërshtatshme, mungesa e personelit profesional dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm me prindërit.

KOMF rikujton se, sipas raportit monitorues “Karta e Vlerësimit”, institucionet publike arsimore janë vlerësuar me notën 2.5 nga 5, ndërsa rezultatet e Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA e rendisin vendin ndër sistemet me performancën më të ulët.

Koalicioni kërkon reforma të thella dhe afatgjata në arsimin parauniversitar duke përfshirë rishikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, vlerësimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, forcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, depolitizimin e shkollave, rritjen e llogaridhënies, digjitalizimin e arsimit, si dhe investime më të mëdha në infrastrukturë dhe pajisje mësimore. /Kosova.info/


Go to TOP