Dalin rezultatet e qumështit Vita, 100% kualitet, pa vaj palme dhe pa qumësht pluhur

Qumështorja Vita ka bërë të ditur se ka pranuar rezultatet e analizave nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë së Kosovës (AUV), të cilat, sipas kompanisë, konfirmojnë se produktet e saj nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe as vaj palme.

Në një njoftim të publikuar pas protestës së fermerëve, Vita njofton se më 6 korrik 2026 ka pranuar me email rezultatet e mostrave të analizuara, të cilat, sipas saj, dëshmojnë se produktet e qumështit janë 100% qumësht.

Kompania bën të ditur gjithashtu se në takimin e zhvilluar sot ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, ministrit të Bujqësisë dhe përfaqësuesve të Vita-s është arritur marrëveshje që përkohësisht të vazhdohet grumbullimi i qumështit nga fermerët.

Sipas Vita-s, ky vendim është marrë në interes të fermerëve dhe pas zotimit të ministrit se rezultatet e analizave të mostrave të marra më 2 korrik 2026 do të publikohen jo më larg se 13 korriku. Deri atëherë, kompania do të vazhdojë grumbullimin e qumështit.

Në fund të reagimit, Qumështorja Vita falënderon konsumatorët për besimin duke theksuar se prej 23 vitesh ofron produkte me cilësi dhe se do të vazhdojë të jetë në shërbim të tyre. /Kosova.info/


Go to TOP