Deputeti turk Salih Murat: Qeveria e re la pa ministër funksional komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut

Deputeti turk në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike Turke (TDP) duke thënë se përgjigjja e partisë nuk u është përgjigjur pyetjeve kryesore të opinionit publik, por është përqendruar në sulme personale dhe polemika.

Murat theksoi se kritikat e tij nuk kanë qenë asnjëherë ndaj ekzistencës së TDP-së, por ndaj mënyrës se si udhëheqja aktuale, sipas tij, ka dështuar të përfaqësojë interesat politike të komunitetit turk.

Ai deklaroi se kishte refuzuar një ofertë për t’u bërë pjesë e qeverisë duke argumentuar se prioritet duhej të ishin përfitimet konkrete për komunitetin turk dhe jo interesat individuale.

Deputeti ngriti disa pyetje ndaj udhëheqjes së TDP-së duke kërkuar sqarime pse në qeverinë e re nuk ka asnjë ministër funksional turk, pse për dy vite nuk është emëruar asnjë zyrtar i lartë turk dhe çfarë përparimi konkret është arritur për komunitetin turk gjatë kësaj periudhe.

Sipas Muratit, premtimet për “partneritet strategjik” dhe “përfaqësim të fuqishëm” nuk u reflektuan në përbërjen e kabinetit qeveritar. Ai tha se, ndërsa maqedonasit, shqiptarët, serbët dhe romët janë të përfaqësuar në qeveri, komuniteti turk ka mbetur pa një ministër funksional.

Në reagimin e tij, Murat solli edhe të dhëna nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2021 duke theksuar se turqit përbëjnë 3.98 për qind të popullsisë, ndërsa serbët dhe romët së bashku 3.52 për qind. Megjithatë, sipas tij, këto dy komunitete kanë siguruar pesë pozita qeveritare, ndërsa dy partitë turke nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë ministri funksionale.

Ai hodhi poshtë edhe akuzat se ka zhvilluar fushatë përmes profileve të rreme në rrjetet sociale duke thënë se të gjitha qëndrimet e tij i ka shprehur gjithmonë publikisht me emër dhe mbiemër.

Në fund, Murat theksoi se nuk ka asnjëherë kritikë ndaj votuesve të TDP-së apo komunitetit turk, por ndaj drejtuesve të partisë, të cilët sipas tij kanë ndjekur strategji të gabuar dhe nuk kanë arritur të sigurojnë përfaqësimin që meriton komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se do të vazhdojë të kritikojë si pushtetin ashtu edhe opozitën sa herë që, sipas tij, cenohen të drejtat dhe interesat e komunitetit turk. /Kosova.info/


Go to TOP