ZKA fillon auditimin e Sistemit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë
Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, për periudhën 2025-2026.
Auditimi ka për qëllim të vlerësojë kontrollet e aplikacionit dhe sigurisë së aplikacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Fushëveprimi i këtij auditimi do të jetë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), me qendrat komunale për regjistrimin e bizneseve, e cila është përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Regjistrimit të Bizneseve dhe divizioni përkatës për administrimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit.
Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve ndikon në efikasitetin institucional duke mundësuar ofrimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, përfshirë krijimin e llogarisë, aplikimin për regjistrim të biznesit, si dhe paraqitjen e kërkesave për ndryshim dhe menaxhimin e të dhënave.
Sipas të dhënave të ARBK-së deri në vitin 2026 në Kosovë janë të regjistruara 265,992 biznese, prej të cilave 134,914 janë aktive, 93,532 pasive dhe 37,546 të çregjistruara.
