Kane në superformë para duelit me Meksikën: Ndihem më mirë se kurrë

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka deklaruar se ndodhet në formën më të mirë të karrierës së tij, teksa përgatitet për përballjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Meksikës.

32-vjeçari ishte protagonist në fitoren dramatike të Anglisë ndaj DR Kongos, ku shënoi dy gola në rikthimin e skuadrës së Thomas Tuchel nga disavantazhi 1-0 në fitore 2-1, duke siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme.

Goli i tij i 86-të këtë sezon e çoi Kane në kuotën e 72 golave për klub dhe kombëtare në edicionin 2025/26, një shifër rekord në karrierën e tij dhe ndër më të lartat në futbollin botëror, i tejkaluar vetëm nga sezoni historik i Lionel Messit në vitin 2011/12.

“Kam shënuar 72 gola deri tani këtë sezon dhe shpresoj të shtoj edhe disa të tjerë. Ky është ndoshta sezoni më i mirë i karrierës sime,” deklaroi Kane në një intervistë për programin e kombëtares angleze.

“Kam pasur shumë momente të mira më herët, por tani ndihem më i kompletuar dhe më i gatshëm se kurrë sa herë që zbres në fushë,” shtoi ai.

Kane, i cili ka realizuar pesë gola në këtë Botëror dhe është në garë për “Këpucën e Artë”, theksoi gjithashtu se ndjen besim të plotë në çdo situatë loje.

“Pavarësisht situatës, ndihem se mund të shënoj në çdo moment. Gjithçka po funksionon në kohën e duhur,” u shpreh ai.

Ndërkohë, bashkëlojtari i tij Anthony Gordon e vlerësoi lart sulmuesin anglez, duke e cilësuar si një nga më të mirët në histori.

“Kur e vendos në perspektivë, është e pabesueshme. Vetëm Messi është përpara tij këtë sezon. Duhet ta vlerësojmë më shumë si vend, sepse është ndoshta lojtari më i mirë që ka veshur fanellën e Anglisë,” tha Gordon.

Anglia do të përballet me Meksikën në stadiumin “Azteca” të dielën, një sfidë që pritet me interes të madh, ndërsa Kane theksoi se atmosfera e madhe dhe presioni i ndeshjeve të tilla nxjerrin më të mirën nga lojtarët.

“Janë ndeshjet që të motivojnë më shumë. Nëse fiton në këto skena, fiton edhe vetëbesim për pjesën tjetër të turneut,” përfundoi ai.

Go to TOP