Anglia frikësohet nga mungesa e gjumit para duelit me Meksikën

Kombëtarja e Anglisë po përgatitet për përballjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Meksikës, por shqetësimi i “Tre Luanëve” nuk lidhet vetëm me kundërshtarin.

Sipas mediave britanike, stafi i Anglisë druhet se futbollistët mund të mos kenë një natë të qetë në Mexico City, pas asaj që ndodhi me Ekuadorin para ndeshjes së fazës së kaluar kundër Meksikës.

Tifozë meksikanë u mblodhën jashtë hotelit ku ishte akomoduar kombëtarja e Ekuadorit dhe, deri në orët e para të mëngjesit, përdorën altoparlantë, bori dhe motoçikleta për të prishur qetësinë e lojtarëve mysafirë. Pas këtij incidenti, Federata e Futbollit e Ekuadorit paraqiti ankesë zyrtare te organizatorët e Botërorit.

Sipas “The Mirror”, Anglia do të kishte preferuar të mbërrinte sa më vonë në Mexico City, jo vetëm për të shmangur një situatë të ngjashme, por edhe për të reduktuar ndikimin e lartësisë mbidetare në performancën e lojtarëve.

Megjithatë, rregullat e FIFA-s kërkojnë që skuadrat të mbërrijnë në qytetin pritës të ndeshjes të paktën 24 orë para fillimit të saj, duke e bërë të pamundur këtë skenar.

Trajneri Thomas Tuchel pranoi se kjo mund të jetë një sfidë shtesë për ekipin e tij.

“Rekomandimi është të shkosh dhjetë ditë më herët, gjë që është e pamundur për ne, ose të mbërrish në momentin e fundit, por kjo nuk lejohet. Prandaj do të shkojmë një natë më herët. Kjo ka më shumë kuptim,” deklaroi Tuchel.

Ai shtoi se ekipi është përgatitur edhe për një natë potencialisht të vështirë.

“E presim që kjo të ndodhë, por çfarë mund të bëjmë? Sigurisht që do të marrim masa, si tapa për veshët, por jemi të përgatitur për çdo gjë.”

Ndërkohë, sipas BBC-së, Anglia po përpiqet ta mbajë sekret vendndodhjen e hotelit ku do të qëndrojë në Mexico City, megjithëse ekziston bindja se ky informacion mund të rrjedhë sapo skuadra të mbërrijë në kryeqytetin meksikan.

Go to TOP