Ronaldo ‘Lojtari i Ndeshjes’, por statistikat tregojnë një tjetër histori

Çmimi për lojtarin më të mirë të ndeshjes mes Portugalisë dhe Kroacisë ka ngjallur debat të madh në opinionin sportiv.

Pavarësisht se Cristiano Ronaldo u shpall zyrtarisht “Lojtari i Ndeshjes”, paraqitja e tij është vlerësuar larg pritshmërive nga analistët dhe statistikat.

Sulmuesi portugez realizoi një gol nga pika e bardhë, por përtej këtij momenti pati ndikim minimal në lojë. Sipas platformës së statistikave Flashscore, Ronaldo u vlerësua me notën 6.6, duke qenë ndër lojtarët me paraqitjen më të dobët në formacionin e Portugalisë.

41-vjeçari pati vetëm 25 prekje të topit gjatë 81 minutave në fushë, ndërsa vetëm portieri Diogo Costa regjistroi më pak. Ronaldo realizoi gjithashtu vetëm 21 pasime, shumë më pak se bashkëlojtarët e tij, ndërsa prekja e vetme brenda zonës së Kroacisë ishte penalltia që e shndërroi në gol.

Statistikat tregojnë se ndikimi i tij në fazën sulmuese ishte i kufizuar. Në dy ndeshjet e fundit të Portugalisë, ndaj Kolumbisë dhe Kroacisë, ai nuk ka realizuar asnjë driblim të suksesshëm, një element që dikur ishte arma e tij më e fortë.

Edhe në përballjen ndaj Uzbekistanit, ku shënoi dy gola, performanca e tij nuk ishte bindëse nga ana statistikore, pasi regjistroi saktësinë më të ulët të pasimeve në ekip.

Shumë analistë kanë vlerësuar se çmimi i “Lojtarit të Ndeshjes” mund të jetë ndikuar më shumë nga statusi dhe karriera e jashtëzakonshme e Ronaldos sesa nga ajo që ai tregoi në fushë. Me 41 vjet e 147 ditë, ai u bë futbollisti më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë në një ndeshje të fazës me eliminim direkt të Kupës së Botës.

Në prag të sfidës së radhës ndaj Spanjës, nuk mungojnë zërat që sugjerojnë se trajneri Roberto Martínez duhet të mendojë për ndryshime në repartin ofensiv. Megjithatë, duke pasur parasysh peshën dhe ndikimin e Ronaldos te Portugalia, mbetet pak e besueshme që veterani të lihet në bankën rezervë.

Go to TOP