Dy kandidatët e PDK-së i drejtohen sërish Supremes, kërkojnë rinumërim të votave
Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i janë drejtuar Gjykatës Supreme me ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e votave.
Kandidatët për deputetë nga PDK-ja, Bekim Haxhiu dhe Qëndrin Kryeziu, thanë se ankesa bazohet në fakte të reja, të cilat sipas tyre dëshmojnë parregullsi të konsiderueshme në procesin e numërimit të votave.
Haxhiu tha se ankesa mbështetet në raportin e Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për procedurën e rinumërimit, i cili, sipas tij, evidenton gabime të shumta në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Siç kemi paralajmëruar, kemi dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme. Kjo ankesë bazohet në faktet e reja të cilat i kemi siguruar, e të cilat KQZ nuk i ka bërë publike. Është fjala për raportin e Sekretariatit të KQZ-së për procedurën e rinumërimit, në të cilin janë të evidentuara fakte të shumta për gabimet në procesin e numërimit fillestar në QNR (Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve). Nuk janë gabime të vogla, sepse ato gabime prej 6% deri në 25% janë të evidentuara në komuna të caktuara. Ndërsa në total, si mesatare tek votat e Partisë Demokratike, ky gabim është 3.7% — një margjinë e madhe e gabimit. Ndonëse KQZ-ja është munduar që ta minimizojë këtë si gabim, duke e vlerësuar se tek votat preferenciale të kandidatëve është 1.4%, por nëse llogaritet atëherë në të gjitha votat preferenciale të Partisë Demokratike — që i bie në 147,594 vota të PDK-së të numëruara në Qendrën Kombëtare të Numërimit, herë 10 vota preferenciale, pra janë mbi 1 milion e 470 mijë vota preferenciale — me një margjinë gabimi prej 1.4%, i bie që mbi 20,600 vota preferenciale janë potencialisht të regjistruara gabimisht në Qendrën Kombëtare. Prandaj, rezultati zgjedhor nuk mund të certifikohet i pasaktë. Ligji është në këtë çështje i qartë dhe kërkon që të kemi një certifikim të rezultatit zgjedhor të saktë. Askund në ligj nuk shkruan që mund të certifikohet një rezultat zgjedhor me 1.4% gabime, e as me 25%, mirëpo ai duhet të jetë ashtu siç e ka dhënë votën qytetari”, tha Haxhiu.
Ai shprehu pritjen që Gjykata Supreme ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të pavarur dhe të urdhërojë rinumërimin.
“Prandaj shpresojmë shumë në profesionalizmin e Gjykatës Supreme, e cila në shumë raste ka ditur të jetë e pavarur dhe të rrëzojë vendimet e PZAP-ës, dhe të urdhërojë rinumërimin. Sepse nuk mund të bëhesh deputet me votat e numëruesve, por duhet të bëhesh me votat e qytetarëve, ashtu siç i ka hedhur ditën e votimit”, tha ai.
Edhe kandidati tjetër për deputet nga PDK-ja, Qëndrin Kryeziu, tha se ankesa është plotësuar me prova shtesë, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë parasysh nga PZAP-ja.
“Ne presim sepse kemi sjellë fakte shtesë. Edhe nuk e di pse PZAP-ja e ka rrëzuar kur i ka pasur tërë këto prova, të cilat i kemi sjellë sot për juve. Sepse nga 6.5% që është Mitrovica e Jugut, kemi deri në 25% ndryshim të votës. Dhe 25%, edhe marzhi 1.4% në qoftë se shkojmë në total të 725,000 votuesve, janë në pyetje 101,000 vota gabim. Vetëm për Partinë Demokratike diku janë rreth 22-23 mijë vota që është ndryshimi. Dhe 22-23 mijë vota nuk janë dy vota që po bëjmë hajgare. Kjo nuk është hajgare, me shku deputet me votat e numëruesve. Kështu që unë besoj shumë në drejtësinë e Kosovës, besoj shumë në institucionet e vendit tonë dhe besoj shumë që do të ketë rinumërim dhe do të ketë rezultat real për të gjithë kandidatët”, tha Kryeziu.
