Holanda në alarm nga i nxehti rekord, rreth 480 viktima brenda një jave

Rreth 480 viktima u regjistruan në Holandë gjatë valës së pazakontë të të nxehtit javën e kaluar, njoftuan sot autoritetet shëndetësore holandeze, sipas Reuters.

Sipas të dhënave zyrtare, vdekjet shtesë gjatë periudhës 22–28 qershor janë shënuar kryesisht te personat e moshës 80 vjeç e sipër.

Numri më i lartë i rasteve është regjistruar në jug dhe lindje të vendit, zona ku temperaturat kanë arritur nivelet më të larta gjatë kësaj periudhe.

Gjatë valës së të nxehtit, në Holandë u regjistruan temperatura rekord për muajin qershor, duke arritur deri në afro 40 gradë Celsius.

Ndërkohë, edhe Franca ka raportuar më herët të paktën 1 000 viktima të lidhura me të nxehtin ekstrem, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci përfundimtar mund të rritet edhe më tej.

Sipas shkencëtarëve, vala e të nxehtit që nisi më 20 qershor është më intensivja e regjistruar ndonjëherë në Evropë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin, veçanërisht te të moshuarit dhe grupet më të ndjeshme të popullsisë.


Go to TOP