Gërvalla: Pakoja e reformës në drejtësi po shkon drejt finalizimit institucional
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se pakoja e reformës në drejtësi po i afrohet finalizimit institucional.
Ajo njoftoi se, së bashku me zëvendësministrin Nimoni, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Akademia e Drejtësisë, zhvilluan një takim për të shqyrtuar çështjet përfundimtare të pesë projektligjeve që janë pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformën në drejtësi.
Sipas Gërvallës, gjatë diskutimit u harmonizuan dispozitat e projektligjeve me synimin që ato të finalizohen në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ajo theksoi se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri shtetërore për ndërtimin e një sistemi me integritet, llogaridhënie dhe besim më të madh të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Gërvalla shtoi se institucionet mbeten të përkushtuara që, përmes dialogut ndërinstitucional dhe bashkëpunimit me të gjithë akterët e sistemit, të avancojnë reformat që forcojnë sundimin e ligjit në Kosovë. /Kosova.info/
