Futbollistët e diasporës ftohen të stërviten falas në Kampin Nacional në Hajvali
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se gjatë pushimeve verore Kampi Nacional në Hajvali do të jetë i hapur për të gjithë futbollistët dhe futbollistet nga diaspora, pavarësisht ligës ku aktivizohen apo kombëtares që përfaqësojnë.
Sipas FFK-së, qëllimi i kësaj nisme është t’u ofrojë bashkatdhetarëve kushte profesionale për zhvillimin e seancave stërvitore gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, duke i mirëpritur në ambientet e Kampit Nacional.
Të gjithë të interesuarit duhet të dërgojnë një kërkesë në adresën elektronike [email protected], duke specifikuar datën ose datat e dëshiruara për stërvitje, orarin e preferuar, numrin e pjesëmarrësve dhe vitin e lindjes.
FFK ka bërë të ditur se për grupet me më shumë se pesë pjesëmarrës do të sigurohet edhe asistencë profesionale nga trajnerët e federatës, në përputhje me orarin dhe kapacitetet e Kampit Nacional. Federata ka uruar gjithashtu që të gjithë bashkatdhetarët të kalojnë pushime sa më të këndshme në Kosovë.
